Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit, që të ndërmarrin hapa urgjent për shtensionim. Hapat duhet të jenë konkret nga të dyja palët.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta dhe asnjëra palë deri tash nuk ka ndërmarrë masa për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, ndonëse veprimet e para po kërkohen nga Prishtina zyrtare. Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, ishte në Prishtinë, takoi kryeministrin dhe Presidenten dhe u bëri thirrje Kosovës e Serbisë që të marrin hapa menjëherë për shtensionim të situatës.
Jam këtu për të konfirmuar qëllimin e NATO-s për paqe e stabilitet. Nuk kemi parë përparim nga Prishtina e Beogradipër deeskalim dhe kjo ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Nga ngjarjet e fundit, kemi pasur numrin me të madh të ushtarëve të lënduar të KFOR-it që nga viti 1999. Kjo është e papranueshme. Është çështje urgjente për Prishtinën dhe Beogradin të ndërmarrin hapa konkretë për shtensionim, të dialogojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet”, tha Goffus. Sipas numrit dy të NATO-os, ai vizitoi ushtarët e KFOR-it në veri, dhe tha se ushtarët janë të gatshëm të intervenojnë nëse ka përshkallëzim të situatës.