Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur se në takimin disa orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk ka nënshkruar asgjë dhe se sipas tij, ky proces tek po fillon.




Ai tha se “e di që edhe sonte, pala shqiptar do të theksojë se unë s’kam nënshkruar asgjë”.
“Do të thotë se nuk përfundon sot ndonjë gjë. Thjeshtë kam theksuar faktin që të dy palët kanë thënë se cilat janë vijat e kuqe. Besoj që kemi bërë një hap tutje në një atmosferë konstruktive dhe do të vazhdojmë punën”, është shprehur Vuçiq.




Tutje, ai tha se për palën serbe është e rëndësishme formimi i Asociacionit në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të negociatave, teksa shtoi se është folur edhe për personat e pagjetur.
“Ende flitet për personat e pagjetur, për disa konferenca të donatorëve por kjo do të varet nga ajo se si plani i implementimit do të përpunohet tutje”, është shprehur Vuçiq.