Lideri opozitar, Memli Krasniqi, po vazhdon që ta kundërshtojë propozimin e BE-së, mbi bazën e të cilit është duke u zhvilluar dialogu Kosovë-Serbi.




Krasniqi tha se propozimi evropian nuk i përfaqëson kërkesat që i ka Kosova, dhe se, për këtë, fajtor e konsideroi kryeministrin Kurti.
“Unë sot besoj se arsyeja që e kemi një marrëveshje të pamjaftueshme për Kosovën, e cila nuk i adreson dhe realizon kërkesat e Kosovës, në radhë të parë është përgjegjësi e Kurtit. Sepse në periudhën kur ai e ka marrë përgjegjësinë me udhëheq Kosovën, pothuajse 1 vjet nuk e ka bërë asnjë hap në drejtim të dialogut. Pastaj edhe në takimet që kanë ndodhur kanë qenë takime për konsum të brendshëm qoftë të Kurtit në Kosovë qoftë edhe Vuciqi në Serbi”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.




Krasniqi shprehu se Kosova, nën udhëheqjen e Kurtit, është dashur ta shfrytëzojë momentumin e krijuar në Evropë, i cili u krijua nga agresioni rus në Ukrainë, për të kërkuar dinamizim të dialogut.
“Ajo që e shoh problematike edhe më tutje, si mungesë të përvojës dhe të racionalitetit dhe të aftësisë politike të Kurtit, është fakti që kur filloi lufta e paprovokuar agresionit rus në Ukrainë, u krijua një momentum i ri politik në Evropë, dhe padyshim ky momentum duhej të shfrytëzohej nga Kosova dhe kjo ka qenë ftesa dhe kërkesa jonë e vazhdueshme… Për të kërkuar dinamizim të dialogut apo përshpejtim”, tha lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.