Krerët opozitarë sonte darkojnë në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë.




Ata i pret emisari special Gabriel Escobar.




Para takimit të 18 marsit në Ohër mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, emisari amerikan Gabriel Escobar ka vizituar Beogradin dhe sonte mbrëmë arrin në Prishtinë.
takimin e parë e realizon me partitë opozitare, dy prej të cilave edhe më tutje nuk po e përkrahin propozimin evropian, të cilin e ka pranuar Kurti.
Nga PDK-ja kanë thënë se sonte do të ketë darkë në rezidencën e ambasadorit Jeff Hovenier dhe se kryetari i saj, Memli Krasniqi e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Burimet në LDK kanë thënë se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do ta takojë sot Escobarin.
Ndërkaq, nesër paradite, Escobar takohet me Kryeministrin Kurti, për herë të fundit para takimit të Ohrit, që mbahet pasnesër.
Dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe PDK nuk e përkrahin propozimin evropian, pasi në të nuk përfshihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
PDK-ja i ka treguar rezervat e saj përfaqësuesve ndërkombëtarë, ndërkaq edhe sipas LDK-së, asnjë marrëveshje nuk garanton normalizim të raporteve me Serbisë, pos ajo që përqëndrohet në njohjen reciproke.
Gjatë kësaj jave, në zyrat e PDK-së dhe LDK-së ka shkuar ambasadori Hovenier, të cilit, siç kanë njoftuar krerët e këtyre partive, ia kanë shprehur qëndrimin e pandryshuar për propozimin evropian.
Pas takimit të 27 shkurtit, ku Kurti dhe Vuçiq pranuar zyrtarisht propozimin evropian, PDK dhe LDK dolën kundër këtij vendimi, ndërsa AAK-ja e Ramush Haradinajt ishte pro.
Në fillim të marsit, në mediumin online “Reporteri” është publikuar një deklaratë nga ambasada amerikane, ku shprehej shqetësimi dhe pakënaqësia ndaj partive opozitare që s’po e përkrahnin planin evropian.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, thuhej në një deklaratë të Ambasadës
Aty i kujtohej opozitës së propozimin evropian e përkrahin fuqishëm edhe Presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari Antony Blinken.