Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara tha që Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën.
“Serbia nuk mund dhe kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur të njëanshme të Kosovës dhe nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Serbia dëshiron paqe, të bisedojë dhe të arrijë normalizim afatgjatë, të kushteve dhe bashkëjetese të qëndrueshme mes shqiptarëve dhe serbëve”, u shpreh Daçiq.
Ministri i Jashtëm serb, Daçiq ka thënë se duhet sa më shpejt të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Është e domosdoshme që të formohet sa më shpejtë asociacioni sepse është një mekanizëm për të ofruar siguri për rajonet me shumicë serbe”, tha ai.